Published On: Mon, Feb 20th, 2012

Vriten dy komando shqiptarë në Afganistan


Dy komando shqiptarë kanë humbur jetën ditën e hënë në provincën e Kandaharit, në Afganistan, pasi u ndodhën në mes të një konflikti të armatosur.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes, sipas të cilës viktimat janë ushtarakët Feti Vogli, komandant i grupit të parë special, dhe Aleksandër Peçi, specialist i armatimeve.

Sipas një komunikate për shtyp, komandot shqiptarë janë sulmuar në orën 15:05 me orën lokale nga një grup efektivash të policisë afgane, teksa shoqëronin personelin e një misioni të USAID në një takim në fshatin Robot në Kandahar.

Në njoftim saktësohet se ndaj tyre është qëlluar me armë automatike dhe me një mitraloz të lehtë dhe se nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një ushtar nga vendet aleate.

Dy ushtarët kanë marrë plagë të rënda dhe kanë ndërruar jetë pak më vonë në një spital të Kandaharit, ndërkohë që grupi në detyrë ka arrestuar 11 agjentë të policisë afgane, përgjegjës për sulmin.

Përmes njoftimit mësohet se personeli i USAID po shkonte në disa takime, ku do të përuroheshin dy shkolla dhe një qendër shëndetësore në fshatin Robot.

MB: Masa për riatdhesimin e viktimave

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes ka mbajtur para pak çastesh një konferencë për shtyp, ku ka konfirmuar vdekjen e dy komandove në Afganistan.

Gjatë konferencës, zëdhënësi ka konfirmuar identitetet e të ndjerëve, Feti Vogli dhe Aleksandër Peçi, si dhe i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të tyre.

“Ministria e Mbrojtjes, shtabi i përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura marrin pjesë në hidhërimin e thellë dhe i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Njoftojmë se janë marrë të gjitha masat për kthimin në atdhe të trupave të të ndjerëve”, ka deklaruar zëdhënësi.

Topi, mesazh ngushëllimi familjeve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk ka vonuar të shprehë keqardhjen e tij për humbjen e jetëve të dy komandove shqiptarë në Afganistan.

Përmes një mesazhi, Topi, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka shprehur “pikëllimin” për këtë humbje të rëndë, si dhe u ka bërë ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave.

“Me keqardhje të madhe dhe pikëllim të thellë, mësova lajmin e hidhur të rënies heroikisht në krye të detyrës të kapitenit Vogli dhe nëntetarit Peçi, që të dy ushtarakë shqiptarë të kontigjentit ‘’Eagle 4’’ në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kandahar, në Afganistan. Në këto momente të rënda e tragjike, më lejoni t’ju shpreh në emër të mbarë shtetit shqiptar ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të njerëzve tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm!”, është shprehur Topi.

“Më lejoni që si president i Republikës si dhe komandant i përgjithshëm, të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të madhe dhe për t’ju shprehur konsideratën më të lartë personale e institucionale për jetën dhe sakrificën sublime të këtyre dy heronjve të Forcave tona të Armatosura!”, ka vijuar ai.Burimi:top-channel.tv

Komento

You must be Logged in to post comment.