Thaçi kërkon dialog, Vetëvendosje nuk tërhiqet nga protestat

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje për një debat në Kuvendin e Kosovës por kjo e fundit është përgjigjur se nuk do të heqë dorë nga protestat.
“Ftoj edhe Lëvizjen Vetëvendosje që të vijë në Parlament dhe aty të bashkëbisedojmë dhe të zhvillojmë debatin për dilemat dhe dallimet që mund t’i ketë spektri politik kosovar. Dilemat dhe dallimet zgjidhen vetëm në institucione dhe e ftoj Lëvizjen Vetëvendosje që të mos e bartë politikën në rrugë”, është shprehur Thaçi.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga protesta e radhës më 22 janar. Dardan Molliqaj nga ky subjekt politik, ka theksuar se dallimi i vetëm i organizimit të protestës së datës 22 me atë të 14 janarit, mund të jetë masiviteti, duke besuar se edhe më shumë njerëz do t’i përgjigjen thirrjes së Vetëvendosjes për bllokimin e rrugëve për mallrat e Serbisë që provojnë të futen përmes kalimeve kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë.
“Prapë do të jemi në pikat Dheu i Bardhë dhe Merdare, ku në mënyrë të njëjtë, sikurse më 14 janar, do ta bëjmë bllokimin e rrugëve që vijnë nga Serbia, për ta ndaluar Serbinë në Kosovë. Sigurisht që do të rrimë aty derisa Qeveria e Kosovës nuk e zbaton vendimin e Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Molliqaj.








