Të gjithë mes ankthit dhe pritjes për Aleksandër Peçin

Kryeministri Berisha i ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes së Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës, në Kandahar, Afganistan, në përmbushje të misionit të tij fisnik dhe të detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ai sot ju mungon juve, vëllezërve të armëve, me të cilët luftoi në Kandahar, Forcave tona të Armatosura dhe kombit që e nisën në këtë mision të rëndësishëm paqeje. Vepra dhe kujtimi tij do të nderohet gjithmonë. Shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij.
Kryeministri Berisha, gjithashtu, ishte në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u informua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, mbi ngjarjen dhe rrethanat, në të cilat Kapiten Vogli ra në krye të detyrës dhe nëntetar Aleksandër Peçi u plagos rëndë, si dhe reagimin e menjëhershëm e të vendosur të njësisë luftarake të përbashkët shqiptaro-amerikane ndaj sulmit të pabesë.
Ai telefonoi Komandantit të Njësisë, Kolonel Behar Mara, ku i shprehu atij dhe të gjithë efektivit ngushëllimet për rënien si burrat në krye të detyrës të Kapiten Voglit, në përmbushje të një misioni fisnik, në kuadrin e Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Afganistan. Kryeministri u shprehu ngushëllimet të gjithë ushtarakëve tanë në Kandahar, si dhe mbështetjen e plotë të tij, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, në këto çaste shumë të dhimbshme për familjen Vogli, për shokët e armëve të Kapiten Voglit dhe shqiptarët në tërësi.
Kolonel Mara e falenderoi Kryeministrin për telefonatën dhe e siguroi atë se trupat shqiptare në Kandahar, ndonëse përjetojnë me dhimbje të madhe rënien në krye të detyrës të vëllait të tyre, Kapiten Voglit, qëndrojnë më të vendosur se kurrë që krah për krah me ushtarakët amerikanë të përmbushin çdo detyrë që do t’u ngarkohet, në interes të paqes e stabilitetit.
Komandanti i ISAF, Gjenerali John Allen i telefonoi Kryeministrit Berisha dhe i shprehu ngushëllimet për Kapiten Voglin që ra burrërisht në krye të detyrës, si dhe vlerësimet më të mëdha për ushtarakët shqiptarë, virtytet dhe aftësinë e tyre, në përmbushjen e detyrave në zona të ndryshme të Afganistanit. Komandant Allen i kërkoi Kryeministrit t’i përcjellë ngushëllimet e tij familjes së Kapiten Voglit.
Gjeneral Allen e siguroi Kryeministrin se do të bëhet gjithçka që autorët e këtij akti të marrin ndëshkimin e merituar ligjor.
Kryeministri Berisha, nga ana e tij, e falenderoi Gjeneral Allen për telefonatën dhe ngushëllimet dhe e siguroi atë se Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe qeveria shqiptare kanë besim të madh se trupat e ISAF, nën komandën e Gjeneralit Allen, do të përmbushin me sukses të gjitha detyrimet e misionit të tyre historik dhe se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë mision.
Ndërkohë kryeministri Berisha i uron shërim Nëntetarit Aleksandër Peçi, i cili u plagos në krye të detyrës dhe që aktualisht ndodhet në gjendje koma.
21:00 – Ndizet një fije shprese për familjarët e komandos Aleksandër Peci, se familjari i tyre mund të vazhdojë të jetojë. Sipas tyre ato kanë marrë një njoftim nga MB se 23 vjecari është në gjendje të rëndë, në vdekje klinike, ku vazhdon të mbahet në jetë me aparatura.
Fillimisht u raportua se Peci së bashku me Komandantin e Grupit të 1-rë Special Kapiten Feti Bedri VOGLI, ndërruan jetë në spital pas plagosjes në një sulm në Kandahar.
19:50 – Luftimet e ashpra në Afganistan nuk kanë kursyer as ushtarët shqiptarë atje. Vetëm pak caste më parë Ministria e Mbrojtjes në një njoftim për shtyp ka bërë me dije se sipas njoftimit paraprak te ardhur ne Shtabin e Përgjithshëm te Forcave të Armatosura të RSH, bazuar në raportin e dhënë nga Komandanti i Kontingjentit “EAGLE-4″ N.Kolonel Behar MARA, të trupave tona me mision në Afganistan, bën me dije se:
Më datë 20.02.2012, ora 15:05 lokale në fshatin Robot 2, Kandahar Grupi i 1-rë Special, i drejtuar nga Kapiten Feti Bedri VOGLI, si dhe një grup nga Bat.2-38 CAV, gjatë kryerjes së detyrës, “Patrullim dhe sigurim i personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”, me mision, kryerja e një takimi, për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në këtë fshat, papritur në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektiva të policísë lokale (sipas të dhënave paraprake është hapur zjarr nga 5 armë automatike (Aut.Mod.56) dhe një mitraloz i lehtë.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur 3 ushtarakë, një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të Kontingjentit “Eagle-4″.
Komandanti i Grupit të 1-rë Special Kapiten Feti Bedri VOGLI dhe N/Tetar Aleksandër Jak PEÇI (specialist armatimi në këtë grup), kanë marrë plagë të rënda dhe kanë ndërruar jetë në spitalin Rol 3 në Kandahar.
Grupi në detyrë, ka bërë arrestimin e 11-të policeve afganë, të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të efektivave tona.
17:00 – Plagosen dy ushtarë shqiptarë në Afganistan. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në Herat, ndërsa dyshohet se ushtarët janë sulmuar.
Sipas të dhënave paraprake, mësohet se njëri prej ushtarëve është në gjëndje të rëndë, ndërsa ende nuk dihet identiteti i tij dhe ushtarit tjetër të plagosur.
Lajmi për plagosjen e dy ushtarëve është konfirmuar minutat e fundit edhe nga Ministria shqiptare e Mbrojtjes.
Ndërkohë që Ministria e Mbrojtes mban sekret identitetet e ushtarëve shqiptarë dhe nuk je p informacione rreth gjëndjes së tyre shëndetësore.
Sipas lajmeve të minutës së fundit mësohet se ka humbur jetën komandanti Feti Bedri Vogli. Dhe pak minuta pas tij edhe ushtari tjetër i plagosur, Aleksandër Jak Peçi.
Gjithashtu mësohet se trupat shqiptare janë qëlluar nga policia lokale me anë të 5 armëve automatike. Sipas lajmeve më të fundit që vijnë nga Ministria e Mbrojtjes, dy ushtarët e sipërpërmendur kanë humbur jetën pasi arritën në spitalin e qytetit.
Gjithashtu mësohet se forcat e policisë lokale kishin goditur gabimisht komandot shqiptare.
Në konferencën për shtyp që po mbahet në ambjentet e Minsitrisë së Mbrotjes u konfirmua lajmi si dhe u deklarua se 11 policët që qëlluan ndaj trupave shqiptare janë arrestuar.
Gjithashtu, zyrtarë të kësaj ministrie u shprehën se po punohet për riatdhesimin e trupave, organizimin e ceremonisë zyrtare si dhe mbështetje financiare për familjet e ushtarëve të vrarë në krye të detyrës. /albeu.com/









