Rama: Shqipëria, peng i sekretarit të Enverit

Lideri i opozitës Edi Rama reagoi në blogun personal në Twitter ndaj akuzave të kryeministrit Sali Berisha, duke deklaruar se askush nga ata që rrëzuan monumentin nuk do ta imagjinonte dot se vendi do të mbahej peng pas 21 vitesh – prej një sekretari të diktatorit.
“Askush ndër ata që rrëzuan monumentin e Enverit s’e imagjinonte dot që 21 vjet më vonë Shqipëria do mbahej peng nga një sekretar i Enverit”, komentoi Rama në Twitter.
Ai e cilësoi të turpshëm faktin se kreu i mazhorancës akuzon egërsisht opozitën në 21 vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit, me qëllimin e vetëm për të shmangur vëmendjen nga krizat ku e ka zhytur vendin keqqeverisja e Berishës.
“21 vjet pas rrëzimit të monumentit të diktaturës sulmohet egërsisht opozita teksa vendi lëngon mes krizash të keqqeverisjes”, shkruan kryesocialisti, transmeton “Noa”.
Rama thekson se pushteti i Berishës është më i korruptuari në historinë tonë, është turpi i gjallë i shkeljes mbi të gjitha ëndrrat e shpresat që sollën rrëzimin monumentit!
Kryetari i Partisë Socialiste e përmbyll komentet e tij duke iu referuar situatës së emergjencës në vend, për të cilën komenton: “Sot kur Shqipëria vuan krizën e menaxhimit të emergjencës, KM organizon festa e karnavale me shpinën e kthyer nga mijëra familje të bllokuara”, nënvizoi Rama. /Telegrafi/









