Mungesa e vitaminës D, probleme gjatë shtatzanisë

Një studim i ri i kryer në Institutin e Kërkimeve mbi Shëndetin e Fëmijës, në Subiaco të Australisë, konfirmon se ka një lidhje mes mungesës së vitaminës D tek nëna shtatëzënë dhe probleme në të folur të fëmijës pas lindjes. Në këtë studim të gjerë ku u përfshinë 740 gra shtatëzëna të cilat u ndoqën derisa fëmijët e tyre u bënë 17 vjeç, studiuesit ekzaminuan përqëndrimin e vitaminës D gjatë shtatëzanisë dhe aftësinë e të folurit të fëmijëve.
Doktor Andrew Whitehouse, autor kryesor i studimit, shprehet se zbulimi i rëndësishëm tregon gjithashtu se niveli i vitaminës D tek gratë është ulur në mënyrë konstante gjatë viteve.
Rezultatet e publikuara në revistën “Paediatrics”, konfirmojnë edhe një herë lidhjen e fortë mes nënës dhe fetusit. “Fëmija në zhvillim e sipër, është tërësisht i varur nga nëna. Dhe ajo që zbuluam është se mungesa e kësaj vitamine mund të ketë një impakt në zhvillimin e trurit të fëmijës. Tani duam të verifikojmë nëse trajtimi me vitaminë D shtesë gjatë shtatëzanisë, mund të ulë rrezikun e problemeve në të folur të fëmijës”- shpjegon dr.Whitehouse. /albeu.com/









