Published On: Mon, Feb 20th, 2012

Kush është i ndjeri Kapiten Feti Vogli që u vra nga policia afgane në Kandahar (FOTO)


Tiranë, 20 Shkurt 2012 NOA/ Ariola Ymeraj – Kapiten Feti Vogli, humbi jetën tragjikisht sot pasi u sulmua nga policia lokale afgane në Kandahar, ndërsa bashkë me ushtarin Aleksandër Peçi dhe një të tretë, joshqiptar.

Feti Vogli, i lindur më 23.05.1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, është i martuar dhe nga martesa e tij me zonjën Alva, ka një vajzë 2 vjeçe me emrin Egi.

Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Toksore u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës Bunavi.

Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më datë 16.07.2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi. Nga data 1.06.2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.

Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme si:

Medalja e Karierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar.

Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007.

Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.

Nga data 16.012012 është dërguar me mision luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.

Kush është Aleksandër Peçi që po lufton me vdekjen në Kandahar (FOTO)

Tiranë, 20 Shkurt 2012 NOA/ Ariola Ymeraj – Nëntetar Aleksandër Peçi po lufton me vdekjen në një spital në Kandahar dhe tashmë ndodhet në gjendje kome por ka ende shpresë përmirësimi pasi bashkë me Feti Voglin që ndërroi jetë, u sulmuan nga policia lokale afgane gjatë një misioni humanitar.

Ekipi mjekësor i specializuar po monitoron hap pas hapi ecurinë e gjendjen së tij shëndetësore. Lutjet tona bashkohen me ato të familjet së N/Tetar Aleksandër Peçi, që ai të tejkalojë këtë moment të vështirë. Për çdo informacion të ri ne do t’iu mbajmë të informuar.

Biografia e N/tetar Aleksandër Jak Peçi

Nëntetar Aleksandër Jak Peçi, është lindur me 26.09.1988, në fshatin Lekbibaj të Tropojës dhe banues në Bathore, Tiranë. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bathore, është titulluar ushtarak aktiv me gradën profesionist i parë, në Repartin Ushtarak Nr. 1001.

Pas kryerjes me sukses të Kursit Bazë të Forcave Speciale, më datën 16.01.2011, është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë specialist armatimi në Grupin e Parë Special të Kompanisë së Aksioneve Special Ujore në Batalionin e Forcave Speciale.

Nëntetar Aleksandër Peçi ish te një ushtarak i dalluar për disiplinë dhe moral të lartë në kryerjen e detyrave të ngarkuara nga eprorët e tij.

Nga data 16.01.2012, nëntetar Peçi është dërguar me mision luftarak “Eagle-4”, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar, Afganistan

Komunikata nga Ministria e Mbrojtjes, 20 shkurt 2012, 20:30

Në orën 17:15 minuta, Komandanti i Kontigjentit Eagle 4 në Kandahar, Afganistan, Kolonel Behar Mara njoftoi Qendrën e Bashkuara Operacionale, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura se N/Tetar Aleksandër Peçi, kishte ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Komandës ISAF, Rol 3 në Kandahar. I njëjti konfirmim ka mbërritur në orën 17.55 minuta nga ana e Komandës Ushtarake të NATO-s, në Shape, Belgjikë. Në orën 18.15 minuta, ne njoftuam median për lajmin e hidhur pasi kishim njoftuar familjarët, ndërsa në 18.30 minuta kjo u konfirmua në konferencën tonë për shtyp.

Sipas një njoftimi të dytë nga Komandanti i Kontigjentit Eagle 4 në Kandahar, Afganistan, Kolonel Behar Mara, konfirmohet se N/Tetar Aleksandër Jak Peci, i cili u raportua se kishte humbur jetën, tashmë ndodhet në gjendje kome. Ka ende shpresë përmirësimi.

Këtë lajm të mirë ia kemi përcjellë edhe familjes së tij.

Ekipi mjekësor i specializuar po monitoron hap pas hapi ecurinë e gjendjen së tij shëndetësore. Lutjet tona bashkohen me ato të familjet së N/Tetar Aleksandër Peçi, që ai të tejkalojë këtë moment të vështirë. Për çdo informacion të ri ne do t’iu mbajmë të informuar”, – përfundon deklarata nga Ministria e Mbrojtjes.

a.y/NOA

Komento

You must be Logged in to post comment.