Published On: Wed, Dec 28th, 2011

Kavajë, godina e amortizuar u rrezikon jetën 80 banorëve

 

KAVAJE – Rreth 80 banorë, të cilët strehohen në një godinë dykatëshe, përveçse po jetojnë ditët më të vështira të jetës, rrezikojnë të mbetën viktimë e ndonjë tragjedie që mund të ndodhë. Bëhet fjalë për familjet që jetojnë në komunën Gosë në Kavajë. Godina ku banojnë më shumë se 20 familje është tejet e amortizuar dhe rrezikon që dita-ditës të rrëzohet. Në pamundësi për të vënë dorë në të duke bërë një rikostruksion, banorët i kërkojnë ndihmë shtetit. Pallati është dykatësh dhe i mbuluar me tjegulla, por këto jo në të gjitha pjesët e çatisë. Kjo e fundit është mjaft e dëmtuar dhe rrezikon që dita-ditës të rrëzohet dhe t’i zërë brenda banorët. Ditët e fundit kur zonën e përfshiu një fortunë, banorët thanë se një pjesë e çatisë së bashku me tavanin u rrëzua, por fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar në njerëz, pasi ka qenë mesditë dhe familja e Ardian Çiros kishte shkuar për vizitë tek një i afërmi i tyre. “E gjithë pjesa e tavanit dhe e çatisë tek dhoma e gjumit ka rënë dhe tani e kemi mbuluar me plastmas. Jetojmë në kushte skandaloze ku i ftohti dhe shiu janë prezentë përditë në shtëpinë tonë, pasi nuk kemi mundësi për të vënë dorë duke e rregulluar”, thotë ai. Por Ardiani nuk është i vetmi që rrezikon që një ditë banesa në të cilën ai jeton ta zërë brenda, pasi fatit të familjes së tij i bashkohen edhe shumë familje të tjera. Njëra prej tyre është edhe familja Jakupi. Tefta, zonja e shtëpisë shprehet se familja e saj ka më shumë se 30 vite që banon në këtë godinë, por prej më shumë se 13 vitesh kushtet janë mjaft të vështira për shkak të amortizimit të banesës së saj. Për këtë shqetësim, kryetari i komunës Gosë, Eqerem Deliu, thotë se është në dijeni të faktit dhe të kushteve në të cilat jetojnë banorët. Ai thotë se është njohur me problemin që kanë banorët dhe do të përpiqet për t’i ndihmuar sadopak ata, ndonëse par momentin nuk mund të bëjë asgjë tjetër, përveçse t’i mbajë me shpresa banorët. Sipas kryekomunarit nuk do të jetë e largët dita kur banorët e Gosës të jetojnë në kushte të mira. Ai tha se banesa në të cilën banojnë aktualisht ata do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni me një fond që do të çelet nga komuna ose ndonjë marrëveshje të mundshme që do të bëhet me ndonjë firmë ndërtimi. “Unë u kam premtuar banorëve se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për ta. Ndonëse ato janë banesa të privatizuara dhe nuk kanë të bëjnë fare me institucionin që unë drejtoj, por për humanizëm do t’i ndihmoj duke dhënë ndonjë fond nga komuna. Por kjo është menduar për vitin e ardhshëm pas këtë vit nuk kemi fonde”, deklaron Deliu. Godina është ndërtuar nga rusët 50 vite më parë, por që atëherë në të nuk është investuar. l.m

Burimi: Panorama

Komento

You must be Logged in to post comment.